
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk do të qëndrojnë në seancë pas moskalimit të mocionit për futjen në rend të ditës raportimin e ministres së Ekonomisë, për zhvillimet e fundit në KEK ku është arrestuar edhe drejtori Nagip Krasniqi.
Ai ka thënë se deputetëve të opozitës i është mohuar e drejta, raporton Gazeta10.
Sipas tij, është e dëmshme të votohet kundër një debati me një ministre që mbulon sferën energjetike.
“Është hera e parë që ndodh një korporatë si KEK-u të udhëhiqet nga një anëtar i lartë i një partie politike. Ne e kemi parë një tendencë të vazhdueshme të Qeverisë për ta mbrojtur këtë person me fuqi politike. Ju paralajmëroj që ditëve në vijim do të dorëzojmë denoncime për personin e arrestuar dje,”ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka thënë se Krasniqi është vetëm një vegël e Berishaj dhe i Kurtit.
Ajo që është kupola e krejt kësaj e ka një emër, ai është Martin Berishaj. Zoti Krasniqi është vetëm një vegël e Martin Berishajt e Albin Kurtit në këtë proces. Si GP pas deklarimeve jashtë rendit të ditës nuk do të vazhdojmë të qëndrojmë në seancë sepse është e pakuptimtë të qëndrojmë në seancë për të diskutuar për çështje të tjera”, ka shtuar ai. /Gazeta10/