
Nënkryetari i Komunës së Istogut, Genc Ademaj, ka bërë të ditur se përveç dëmeve të mëdha në bujqësi, stuhia me breshër ka shkaktuar dëme edhe në shtëpi dhe vetura.
Në një lidhje direkte në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, Ademaj tha se komuna tashmë ka formuar komisione për vlerësimin e dëmeve.
“Realisht kemi dëme të konsiderueshme te pjesa e shtëpive dhe e veturave. Gjithashtu kemi një komision të veçantë që do ta trajtojë pjesën e vlerësimit të dëmeve për familjarët dhe bizneset. Po ashtu i kemi ndarë edhe dy nënkomisione të tjera për sektorin e bujqësisë, duke marrë parasysh numrin e madh të sipërfaqeve që janë prekur nga breshëri i ditëve të kaluara”, deklaroi Ademaj.
Ai theksoi se komisionet do të dalin në terren për të evidentuar dhe vlerësuar dëmet, me qëllim që familjet, bizneset dhe fermerët e prekur të përfshihen në procesin e kompensimit./Gazeta10