
Gazetari dhe analisti politik, Adrian Çollaku, në emisionin “Politiko” në Kanal10, ka kritikuar mungesën e strukturimit të partive politike në Kosovë, duke vlerësuar se ato vazhdojnë të mbështeten kryesisht te figurat e liderëve dhe jo te strukturat e tyre partiake.
Duke folur për zhvillimet politike në vend, Çollaku ka përmendur Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke thënë se këto parti nuk kanë arritur të konsolidohen pas largimit të liderëve të tyre historikë.
“Vdiq Rugova, LDK-ja s’u kthjellë kurrë, PDK-ja pa Hashimin s’kthjellet”, është shprehur Çollaku.
Ai ka vlerësuar se në Kosovë partitë politike nuk kanë arritur të ndërtojnë struktura të qëndrueshme, të cilat do të funksiononin pavarësisht pranisë apo largimit të liderëve të tyre.
Çollaku ka përmendur edhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se edhe kjo parti është e lidhur ngushtë me figurën e Albin Kurtit. Sipas tij, nëse Kurti do të largohej nga Vetëvendosje, edhe kjo parti do të përballej me vështirësi.
Në këtë kontekst, ai ka vënë në pah se skena politike në Kosovë karakterizohet nga parti të ndërtuara rreth figurave udhëheqëse, ndërsa mungon një strukturim i mirëfilltë që do t’u mundësonte atyre të funksiononin në mënyrë të pavarur nga liderët.