
Gazetari Adrian Çollaku, në emisionin “Politiko” në Kanal10, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke vlerësuar pozitën e partive opozitare dhe përballjen e tyre me qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Çollaku ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka arritur të fuqizohet politikisht përmes protestave lidhur me çështjen e dënimeve në Hagë. Megjithatë, sipas tij, kjo parti aktualisht po përballet me përplasje dhe pakënaqësi të brendshme.
Në anën tjetër, ai ka vlerësuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) paraqitet si më unike dhe më konsistente në veprimtarinë e saj opozitare, veçanërisht në temat që lidhen me sektorin e energjisë. Megjithatë, Çollaku ka theksuar se AAK-ja mbetet një parti më e vogël në skenën politike.
Duke folur për raportin mes pozitës dhe opozitës, gazetari ka vlerësuar se partitë opozitare aktualisht nuk po arrijnë të krijojnë një alternativë të fuqishme politike përballë Kurtit.
“Albin Kurti shumë gjatë do të mbetet në pushtet. Albin Kurti është ai personalitet që aktualisht nuk ka konkurrencë. Albin Kurtin e rrëzon vetëm Albin Kurti, gabimet e tij në qeverisje dhe dështimet e tij”, ka deklaruar Çollaku.
Ai ka shprehur kritika edhe ndaj qeverisjes së re të Kurtit, duke thënë se deri më tani nuk ka vërejtur ndryshime të dukshme në zhvillimin e vendit, në realizimin e investimeve infrastrukturore dhe në sektorin e energjisë.
Sipas Çollakut, mungesa e një opozite të fortë dhe konkurruese i jep hapësirë Kurtit që të vazhdojë të mbetet figura dominuese në skenën politike të Kosovës.