
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka angazhuar avokat për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur ligjërisht gazetarët, kameramanët dhe fotoreportërët.
Avokati i angazhuar në AGK, është juristi Yll Zekaj, transmeton Gazeta10.
Për angazhimin e Zekajt, ka njoftuar vetë AGK-ja, përmes një komunikate për medie.
“Yll Zekaj është angazhuar si Avokat në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, me mbështetjen e dhënë të Misioni i OSBE-së në Kosovë. Për AGK-në, është tejet i rëndësishëm përfaqësimi dhe mbrojtja ligjore për gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët, dhe kjo do të mundësohet me angazhimin e z. Zekaj”, thuhet në komunikatë.
Më tej, AGK-ja u bënë thirrje punonjësve medialë që t’i raportojnë rastet kur pengohen, kërcënohen, dhe sulmohen përgjatë detyrës.
“Shqetësimet apo kërkesat për konsultime mund t’i adresoni në këtë e-mail: asociacioniigazetareve@gmail.com”, bëhet e ditur në komunikatë./Gazeta10