Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Krasniqi: Kriza politike po vazhdon qëllimisht, ajo që ndodhi sot ngjan me skenar

Gazeta10
09 September 2026 - 19:00

Analisti politik Dardan Krasniqi, në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, ka komentuar zhvillimet e sotme në seancën e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën si vazhdim të një krize politike të qëllimshme.

Krasniqi ka thënë se zhvillimet e sotme kanë humbur kuptimin e trajtimit logjik të çështjeve dhe se, sipas tij, ajo që po ndodh nuk mund të jetë rastësi.

“Ka humbur kuptimi i trajtimit logjik të çështjes. Krejt kjo që ndodhi sot është vazhdim i një krize politike të qëllimshme. Kjo nuk mund të jetë rastësi. Po bëhen dy vite që ne vetëm sillemi vërdallë dhe jemi në pamundësi për të krijuar diçka stabile, në këtë rast institucionet e Kosovës”, tha Krasniqi.

Ai e cilësoi seancën e sotme si një zhvillim që i ngjan një skenari të parapërgatitur, duke theksuar se edhe më herët kishte paralajmëruar se mund të kishte befasi.

“Një prej befasisë ishte kjo formë e shantazhit dhe imponimit të votimit të nënkryetarëve, në emër të një dakordimi për çështjen e presidentit”, u shpreh ai.

Duke folur për përplasjet gjatë seancës dhe deklaratat e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, Krasniqi tha se kjo pjesë për të ishte më shumë një “lojë tjetër” dhe e cilësoi situatën si qesharake.

“Kjo pjesa e Igor Simiqit ishte më shumë një lojë tjetër, për mua po ashtu qesharake. Nuk është as koha dhe as vendi për të shfaqur një logjikë patriotike”, deklaroi Krasniqi.

Sipas tij, shumica parlamentare nuk duhet të presë që Lista Serbe apo përfaqësuesit e saj të mbajnë qëndrime parimore, ndërsa kritikoi mënyrën se si po trajtohet kjo çështje në Kuvend.

“Në fund të fundit, ne nuk mund të presim një qëndrim kushedi se sa përmbajtësor dhe parimor nga Lista Serbe, as nga Igor Simiqi. Më shumë sesa çështja e një deklarate populiste të Igor Simiqit, problemi është ajo që jemi duke ia bërë ne vetes si shumicë parlamentare”, tha Krasniqi./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.