
Një aksident i rëndë trafiku me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 23:00, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin rrugor që kalon nëpër zonën e Vushtrrisë.
Sipas informacioneve fillestare, në aksident janë përfshirë një motoçikletë dhe një automjet. Si pasojë e lëndimeve të rënda të marra nga përplasja, ka humbur jetën drejtuesi i motoçikletës, një mashkull rreth 22-vjeçar.
Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe hetuesit e trafikut, të cilët kanë nisur veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë aksident tragjik.