
Një shofer 64-vjeçar nga Shkupi është arrestuar nga policia maqedonas pas aksidentit të djeshëm ku një veturë me targa të Kosovës ra në lumin Lepenc, në aksin rrugor Shkup-Bllacë.
Ai dyshohet si pjesëmarrës në aksidentin mes veturës me targa të Kosovës dhe automjetit të drejtuar prej tij me targa të Shkupit, raporton Gazeta10.
“Me datë 17.06.2023 rreth orës 15:20 është raportuar se në rrugën Shkup – VK Bllacë ka ndodhur një aksident trafiku, me të cilin janë përfshirë automjeti i pasagjerëve ‘Volkswagen Turan’ me targa të Shkupit i drejtuar nga B.B (64) nga Shkupi dhe një veturë të udhëtarëve ‘BMË’ me targa të Kosovës e drejtuar nga NP (60) nga Kosova, e cila pas aksidentit ka rënë në lumin Lepenc. Në mjetin tip BMW, sipas kallëzimit, përveç drejtuesit të mjetit ndodheshin edhe tre pasagjerë M.P (48), Sh.P (21) dhe një i mitur 16-vjeçar. Pas aksidentit pasagjeri Sh.P është nxjerrë nga lumi dhe është transportuar në spitalin ‘8 Shtatori’, ku mjeku i ka konstatuar lëndime trupore, ndërsa tre personat e tjerë janë në kërkim nga ekipet e Departamentit të Operacioneve Speciale të Policisë. Prokurori publik dhe ekipi nga SPB Shkup kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit publik drejtuesi i mjetit ‘Volkswagen Touran’ B.B hiqet liria dhe ndalohet për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e MPB-së së Maqedonisë, trasnmeton Gazeta10.
I dyshuari do të mbahet në burg derisa të përfundojnë hetimet për të zbardhur arsyet e plota të aksidentit.
Kujtojmë se ende është duke vazhduar aksioni i kërkim shpëtimit, për të gjetur edhe tre pjesëtarët e tjerë të familjes Pacolli, ndërkohë që një 20-vjecar kishte shpëtuar dhe është duke marrë trajtimin e duhur mjekësor./Gazeta10