
Prokuroria Themelore në Pejë po vazhdon aksionin e saj ndaj ndërmarrjes “K.R.M Ambienti” në Pejë.
Gjatë këtij aksioni, i cili ka filluar mëngjesin e sotëm, janë shoqëruar nëntë persona në polici, ku disa prej tyre janë disa antarë të bordit.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kësaj ndërmarrje.
Lajmin për Gazeta10 e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, por i njëjti nuk ka dhënë detaje rreth aksionit duke thënë se është ende herët.
Në lidhje me këtë aksion është deklaruar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Sveçla deklaroi se epoka e tolerimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe pasurimit në kurriz të qytetarëve ka përfunduar.
“Njësiti policor kundër krimeve ekonomike sot ka zhvilluar operacion në Kompaninë e Pastrimit “Ambienti” në Pejë. Bordi i kësaj ndërmarrje publike dhe zyrtarë të tjerë, 7 nga të cilët tashmë ndodhen në paraburgim, janë subjekt i hetimit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe si çdo kush tjetër, do të japin llogari para drejtësisë për çdo keqpërdorim dhe dëm të shkaktuar”,deklaroi Sveçla.
Tutje ai tha se vendi ynë nuk do të jetë më zonë e rehatisë për asnjë individ apo grup që cënon jetën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë si dhe sigurinë e vendit tonë.
“Secili kryes i çdo lloj aktiviteti ilegal do të ballafaqohet me drejtësinë”,shtoi ai./Gazeta10