
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve F.G., dhe N.G., për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, ndërsa ndaj N.G. është ngritur aktakuzë edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, me datë 09.10.2025 në Prizren, gjatë një kontrolli të realizuar nga organet e rendit, në pronën e të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar bimë të kanabisit, të cilat ishin kultivuar nga të pandehurit. Sipas ekspertizës forenzike, këto bimë kanë rezultuar se përmbajnë substancën narkotike kanabis-marihuanë.
Po ashtu, gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 19,900 euro, të cilat janë përfituar nga aktiviteti i kundërligjshëm i kultivimit të narkotikëve.
Gjithashtu, Prokuroria tha se gjatë kontrollit të veturës së të pandehurit N.G., janë gjetur dhe sekuestruar 65 fishekë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.