
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave me inicialet F.N., M.A. dhe B.A., të cilët ndodhen në paraburgim, nën dyshimin për kultivim të kanabisit, trafikim të narkotikëve dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas aktakuzës, tre të pandehurit dyshohet se në bashkëkryerje kanë kultivuar kanabis në dy parcela në një zonë malore të fshatit Maqitevë të Suharekës. Për këtë qëllim, ata dyshohet se kishin vendosur edhe një sistem ujitjeje me rezervuar uji dhe gypa për ujitje pikë-pikë.
Rasti ishte zbuluar më 16 shtator 2025, gjatë kontrolleve në një shtallë, ku ishin gjetur dhe sekuestruar 512 kilogramë marihuanë, të cilat ndodheshin në fazën e tharjes dhe përgatitjes për shitje.
Gjatë kontrolleve, autoritetet kishin sekuestruar edhe armë dhe municion, përfshirë një raketë krahu antitank, një mortajë dore, një pushkë gjuetie, një pushkë gjysmëautomatike dhe fishekë.
Përveç veprave që lidhen me narkotikët, të pandehurit akuzohen edhe për mbajtje, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Prokuroria ka kërkuar gjithashtu konfiskimin e përhershëm të dy parcelave, me sipërfaqe prej 1 mijë e 963 dhe 1 mijë e 438 metrash katrorë, si dhe të shtëpisë dhe shtallës që dyshohet se janë përdorur për kultivimin dhe përgatitjen e narkotikëve.
Në mesin e sendeve dhe pasurisë për të cilat është kërkuar konfiskimi janë edhe substancat narkotike, pajisjet e kultivimit, armët, municioni, telefonat mobilë, traktori me rimorkio dhe prova të tjera materiale.