Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Aktgjykimi i Speciales, Kurti: Ja tri çështjet që duhet të adresohen në Apel

Gazeta10
30 September 2026 - 12:54

Kryeministri Albin Kurti ka folur për zhvillimet lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), procesin e apelimit, si dhe zhvillimet politike në vend, përfshirë zgjedhjen e presidentit.

Kurti ka bërë të ditur se është në komunikim të drejtpërdrejtë me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa ka kërkuar vazhdimin e dakordësisë së arritur në Kuvend me 99 vota lidhur me aktgjykimin e Speciales.

Ai ka thënë se në procesin e apelimit duhet të bashkohet ekspertiza juridike dhe se institucionet duhet të koordinohen me ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së.

Ndërkohë, Kurti ka renditur edhe tri vërejtjet e tij kryesore lidhur me aktgjykimin dënues të Gjykatës Speciale.

Sipas tij, vërejtja e parë lidhet me përdorimin e nocionit “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, për të cilin ka thënë se duhet të korrigjohet në Gjykatën e Apelit.

Vërejtjen e dytë e ka lidhur me atë që e cilësoi si qasje mono-etnike të Gjykatës dhe mungesë të transparencës gjatë procesit gjyqësor.

“Ju e dini që zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, si i mbijetuar i Masakrës së Dubravës ka bërë një kallëzim penal në Dhomat e Specializuara, në mënyrë që ta trajtojnë edhe çështjen e Masakrës së Dubravës. Që nga prilli i vitit 2023, pra tri vjet e gjysmë, s’ka marrë asnjë përgjigje. Ky është karakteri mono-etnik bashkë me mungesën e transparencës”, deklaroi Kurti.

Si vërejtje të tretë, kryeministri ka përmendur pasaktësitë faktike dhe historike që, sipas tij, gjenden në aktgjykim.

“I treti natyrisht janë ato pasaktësitë faktike dhe historike që u gjykuan më 16 shtator. Le të mos harrojmë se atë ditë janë lexuar dhjetëra faqe, por vendimi i plotë është mijëra faqe. Ndoshta është lexuar një përqindje një-shifrore e vendimit të përgjithshëm dhe është çështje javësh kur do të dalë verdikti i plotë dhe unë dyshoj që ndokush edhe prej ekipeve të mbrojtjes që ka arritur ta lexojë në plotni dhe saktësi të gjithë verdiktin”, deklaroi ai.

Kurti ka thënë se për procesin e apelimit Kosova duhet të bashkërendojë qëndrimet edhe me Shqipërinë.

“Në mbrojtjen që duhet t’ua bëjmë si shtet dhe si shoqëri, por unë do të thosha edhe si Shqipëri, sepse ju e dini se gjenocidi i Serbisë në Kosovë nuk ka ndodhur pse thjesht jemi të Kosovës, por për shkak se jemi shqiptarë. Ju e patë se në aktgjykim u përmendën 14 komuna të Kosovës, por edhe dy në Shqipëri. Prandaj duhet të jemi bashkë, jo vetëm spektri politik në Kosovë, bashkë si shoqëri padyshim por edhe bashkë me Shqipërinë”, tha Kurti.

Krahas kësaj, Kurti ka folur edhe për Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke bërë të ditur se institucionet janë në pritje të opinioneve ligjore dhe financiare nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave.

Sipas tij, përgjigjet nga institucionet përkatëse pritet të jepen gjatë kësaj jave.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Kurti ka theksuar se kanë mbetur vetëm gjashtë ditë për arritjen e një dakordimi dhe ka bërë thirrje për takime të reja me partitë politike.

Ai ka kërkuar që dakordësia e arritur në Kuvend të vazhdojë edhe në çështjet e tjera me rëndësi për vendin, duke e lidhur bashkëpunimin politik me nevojën për mbrojtjen institucionale dhe juridike të ish-krerëve të UÇK-së dhe ruajtjen e stabilitetit institucional.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.