Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Aktivitet sensibilizues në Prishtinë, qytetarët ftohen të përjetojnë përkohësisht verbërinë dhe sfidat e tyre

Gazeta10
17 October 2026 - 11:21

OJQ “YouCanDo” ka nisur sot një aktivitet dyditor në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Njerëzve me shkop të bardhë.

Aktiviteti ka për qëllim sensibilizimin e qytetarëve për sfidat me të cilat përballen personat me dëmtime në shikim dhe personat e tjerë me aftësi të kufizuara, raporton KosovaPress.

Në kuadër të aktivitetit është vendosur një tendë e errët, ku qytetarët kanë mundësi të hyjnë dhe të përjetojnë përkohësisht vështirësitë e personave të verbër, përmes përdorimit të syzeve të errëta dhe qëndrimit në ambient pa dritë.

 

Kryetari i organizatës “YouCanDo”, Jusuf Fazliu, tha se aktiviteti synon t’u mundësojë qytetarëve ta kuptojnë më nga afër përditshmërinë e personave me dëmtime në shikim.

“Ky është një aktivitet sensibilizues që po e mbajmë sot dhe nesër, ku qytetarët mund ta përjetojnë verbërinë përmes tendës së errët dhe syzeve”, tha Fazliu.

Ndërkaq, drejtoresha e organizatës, Merita Hasani, tha se përmes këtij aktiviteti po bëhet thirrje qytetarëve, por edhe për angazhim më të madh të institucioneve.

“Është një thirrje e vazhdueshme për qytetarët që të vetëdijesohen dhe t’i kuptojnë problematikat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara”, tha Hasani.

Ajo kritikoi institucionet për, siç tha, mungesë të veprimeve konkrete në adresimin e problemeve të kësaj kategorie.

Aktiviteti i organizuar nga OJQ “YouCanDo” do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.