Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Aktivizohen dronët për kapjen e të dyshuarit për vrasjen në Klinë, familjarët nuk flasin për motivet e vrasjes

Gazeta10
08 August 2023 - 19:49

Raporti: Gentiana Gashi
I dyshuari për vrasjen e së hënës në një lokal në Klinë, vazhdon të jetë në arrati. Për kapjen e tij, policia ka aktivizuar edhe donët. Motivet e kësaj vrasje ende nuk janë bërë të ditura, derisa familjarët kanë thënë se problemet kanë qenë më të thella, por ata kanë hezituar të japin detaje për këtë rast.

Familja Prela nga fshati Stupe i Klinës, të martën ka hapur dyert për ngushëllime.

Anton Prela, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra nga arma e zjarrit, pasditen e së hënës, në një lokal në qendër të Klinës.

Ndaj tij dyshohet të jenë shkrepur shtatë plumba, nga i dyshuari Tush Frroku, me të cilin kanë lidhje familjare.
“Për motive akoma të panjohura, në këtë lokal kishte ndodhur ngjarja. Fillimisht Anton Prela dhe Tush Frroku kishin biseduar jashtë lokalit, pasi viktima ishte futur brenda i pandehuri me armë zjarri kishte shtënë drejt tij dhe pastaj ishte arratisur”.

Televizioni ka provuar të marrë një qëndrim nga të afërmit e viktimës, por ata kanë zgjedhur të mos deklarohen fare për rastin.
“Familjarët e viktimës nuk kanë pranuar të flasin para kamerës për ndjeshmërinë e rastit, duke thënë se gjërat janë më të thella se aq sa dihet”

Kurse, i dyshuari Tush Frroku vazhdon të jetë në arrati, derisa zona ku banon ai është nën vëzhgimin e zyrtarëve policorë të Kosovës.
“Rruga në të cilën ndodhemi tek shtëpia e të dyshuarit Tush Frroku, i cili dyshohet të ketë vrarë Anton Prelaj. Në Kosh prej nga edhe është i dyshuari policia ka dalë në rrugë dhe të njëjtit nuk kanë lejuar të afrohet asnjë afër shtëpisë së të dyshuarit”.

Derisa, i dyshuari vazhdon të jetë në arrati, Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për ta kapur atë, duke u aktivizuar edhe dronët për lokalizimin e vendndodhjes së tij.

Ndërkohë, nga Prokuroria Themelore në Pejë kanë thënë se janë angazhuar maksimalisht për ta arrestuar të dyshuarin, derisa nuk kanë dhënë detaje lidhur me motivet e kësaj vrasjeje.

Për vrasjen e Prelës, të martën ka shkruar edhe gazeta zvicerane “Blick”, duke theksuar se viktima ishte pronar garazhi në kantonin e Lucernit.

Përveç viktimës, edhe i dyshuari është mësuar se është shtetas zviceran dhe që të dy kishin ardhur për pushime në Kosovë./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.