Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Alarmi që vjen nga bankat e zbrazëta, rënia e lindjeve dhe emigrimi po boshatisin shkollat në Kosovë

Gazeta10
11 July 2026 - 14:44

Në fshatin Debëllde të Vitisë, oborri i shkollës është bosh.

Pushimi veror nuk është arsyeja. Këtu nuk dëgjohet më zilja.

Nuk ka më as mësues, as nxënës.

Shkolla ka katër vjet që është mbyllur, sepse në fshat nuk ka mbetur asnjë fëmijë për ta ndjekur mësimin.

Dikur, ajo ishte paralele e Shkollës Fillore “Ndre Mjeda” në Kabash.

Për herë të fundit hapi dyert në vitin 2022, kur kishte vetëm katër nxënës.

Pak kohë më vonë, edhe familjet e fundit u larguan nga fshati.

“Nga ai moment nuk ka mundur të zhvillohet më mësimi dhe Drejtoria e Arsimit [e Komunës së Vitisë] ka vendosur që shkolla në Debëllde të mbyllet”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i komunës, Nikollë Ukaj.

Debëlldeja nuk është një përjashtim.

Në shumë komuna të Kosovës, klasat po zbrazen vit pas viti.

Të dhënat e Ministrisë së Arsimit, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se nga viti shkollor 2020/2021 deri në vitin 2024/2025, arsimi parauniversitar humbi mbi 30 mijë nxënës.

Rënia vazhdoi edhe në vitin 2025/2026, kur u regjistruan rreth 5.000 nxënës më pak se një vit më parë.

Pas Debëlldesë, radha e Letnicës?

Vetëm pak kilometra larg Debëlldesë, në Letnicë, banorët druajnë se historia mund të përsëritet.

Në paralelen e ndarë të Shkollës Fillore “Dom Mikel Tarabulluzi”, sivjet mësimin e ndoqën vetëm shtatë nxënës.

Mes tyre është edhe djali i Lindon Limanit, i cili në shtator do të nisë klasën e tretë.

Për Limanin, numri i vogël i nxënësve është shenjë se edhe kjo shkollë mund të mos ketë jetë të gjatë.

“Edhe një vit ose dy nuk do të ketë nxënës fare këtu”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Nëse shkolla mbyllet, djali i tij do të duhet ta vazhdojë mësimin në Stubëll ose në Viti.

Më shumë sesa distanca prej rreth katër kilometrash, e shqetësojnë kushtet e udhëtimit.

“Është shqetësim, sidomos në dimër. Fëmijët janë ende të vegjël”, thotë ai.

Komuna e Vitisë thotë se, aktualisht, nuk ka vendim për mbylljen e ndonjë shkolle tjetër.

Megjithatë, pranon se rënia e vazhdueshme e numrit të nxënësve mund ta bëjë të pashmangshëm riorganizimin e rrjetit shkollor në vitet e ardhshme.

Kur klasat zbrazen, barrën e marrin komunat

E, riorganizimi nuk nënkupton vetëm bashkimin e paraleleve apo mbylljen e shkollave.

Ai prek edhe mësimdhënësit dhe mënyrën se si financohet arsimi.

Deri vitin e kaluar, pagat e mësimdhënësve financoheshin sipas listave që dërgonin komunat.

Këtë vit, Ministria e Arsimit ndryshoi formulën e Grantit për Arsim.

Financimi tashmë bazohet në numrin e nxënësve dhe jo më në numrin e mësimdhënësve.

Për komunat, kjo nënkupton se një pjesë e mësimdhënësve nuk mbulohet më nga granti shtetëror.

Sipas një raporti të Institutit për Studime të Avancuara GAP, për vitin 2026 komunat kanë raportuar rreth 27 mijë mësimdhënës, por 3.101 prej tyre nuk janë përfshirë në Grantin për Arsim.

“Për vitin pasues, 2027, parashihet që jashtë grantit të mbeten edhe 263 mësimdhënës të tjerë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Bekim Salihu nga ky institut.

Ai shton se kjo situatë i ka vënë komunat përballë një zgjedhjeje të vështirë.

Ato ose duhet ta harmonizojnë numrin e mësimdhënësve me formulën e re të financimit – çka mund të nënkuptojë shkëputje kontratash për ata që konsiderohen “mbi normë” – ose t’i mbajnë në punë dhe t’i paguajnë nga buxhetet e tyre.

Vetëm katër komuna – Prishtina, Ferizaj, Fushë Kosova dhe Obiliqi – kanë numër të mësimdhënësve që përputhet plotësisht me financimin e miratuar nga ministritë e Arsimit dhe të Financave.

Rrënjët e tkurrjes

Tkurrja e numrit të nxënësve nuk është një zhvillim i rastësishëm.

Sipas ekspertëve, ajo është pasojë e dy proceseve që po e ndryshojnë strukturën e popullsisë së Kosovës: lindjeve gjithnjë e më të pakta dhe migrimit.

Profesori i Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, Tahir Latifi, thotë se trendet demografike nuk lënë shumë hapësirë për optimizëm.

“Nëse shohim statistikat e lindjeve, që në fund të fundit tregojnë edhe sa nxënës do t’i kemi në shkolla, tabloja është e qartë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Latifit, dhjetë vjet më parë shkalla e fertilitetit në Kosovë ishte 2.10 fëmijë për grua. Në vitin 2026 ajo ka rënë në 1.54.

Një pjesë e kësaj rënieje, thotë ai, lidhet edhe me emigrimin.

“Kur i sheh statistikat e lindjeve në pesë vjetët e fundit, rreth një e treta e lindjeve të regjistruara në Kosovë janë nga diaspora”, thotë Latifi.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se në vitin 2025 janë regjistruar 32.955 lindje, por 22.045 prej tyre kanë ndodhur brenda Kosovës.

Edhe regjistrimi i fundit i popullsisë, më 2024, tregon të njëjtin drejtim.

Kosova ka rreth 1.6 milion banorë rezidentë – afro tetë për qind më pak sesa në regjistrimin e vitit 2011.

Për Latifin, institucionet nuk e kanë lexuar me kohë këtë ndryshim demografik.

“Nëse nuk i lexojnë si duhet edhe të dhënat e regjistrimit të vitit 2024, që janë alarmante, nuk e di se kah do të shkojmë. Edhe pse është ditur se disa fshatra po zbrazen, prapë janë ndërtuar shkolla milionëshe, pa nevojë”, thotë ai.

Pasojat nuk ndalen te shkollat

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse trendi vazhdon, pasojat do të ndihen në çdo hallkë: nga organizimi i shkollave dhe financimi i komunave, deri tek universitetet dhe tregu i punës.

Sipas Dukagjin Pupovcit, ish-zëvendësministër i Arsimit, efektet tashmë kanë filluar të shihen edhe në arsimin e lartë.

“… sepse po bie edhe numri i studentëve, përveç nëse ndërkombëtarizohen universitetet dhe fillojnë të vijnë studentë nga jashtë – gjë që unë nuk pres të ndodhë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se numri i studentëve në universitetet publike dhe kolegjet private ka rënë nga 95.335 në vitin akademik 2020/2021 në 64.817 në vitin 2024/2025 – një rënie prej rreth 32 për qind.

Pupovci paralajmëron se ndikimi nuk do të kufizohet vetëm në sistemin arsimor.

“Në të ardhmen mund të përballemi me mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar, sidomos me kualifikime të larta. Do të detyrohemi të importojmë fuqi punëtore ose kjo do të bëhet pengesë për zhvillimin ekonomik. Nuk mund të organizosh fabrika apo biznese kur mungojnë njerëzit”, thotë Pupovci.

Një sistem që duhet të përshtatet

Sipas tij, rënia e numrit të nxënësve nuk është një problem që mund të zgjidhet vetëm duke mbyllur shkolla apo duke shkurtuar mësimdhënës.

Ai thotë se sistemi arsimor duhet të përshtatet me realitetin e ri demografik.

“Hapi i parë duhet të jetë përshtatja e formulës së financimit me gjendjen aktuale. Formula e re duhet të krijojë një balancë ndërmjet qëndrueshmërisë financiare, cilësisë së arsimit dhe mbrojtjes së interesit të nxënësve”, thotë Pupovci.

Ndryshime, sipas tij, do të kërkohen edhe në arsimin e lartë.

“Për shembull, në sektorin publik ne i kemi pesë fakultete juridike dhe po aq ekonomike. As tash nuk ka nevojë për një numër të tillë fakultetesh. Mund të jenë nga dy dhe mjaftojnë”, thotë Pupovci.

Nëse këto ndryshime do të jenë të mundshme dhe të mjaftueshme, mbetet të shihet.

Por, projeksionet demografike nuk japin sinjale inkurajuese.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se deri në vitin 2060 popullsia rezidente mund të zbresë në rreth një milion banorë, ndërsa lindjet të vazhdojnë të bien.

Për Pupovcin, kjo do të thotë se tkurrja e numrit të nxënësve nuk është një fazë kalimtare.

“… përveç nëse ndodh një ndryshim i madh demografik, si migrimi masiv nga jashtë dhe përfshirja e fëmijëve të migrantëve në shkollat tona. Një valë e tillë nuk pritet, sepse Kosova nuk është vend atraktiv”, thotë ai.

Debëlldeja e humbi shkollën kur mbeti pa fëmijë. Në Letnicë, prindërit ende shpresojnë që kjo të mos ndodhë.

Por, me klasat që zbrazen vit pas viti në mbarë Kosovën, pyetja nuk është më nëse arsimi do të ndryshojë, por sa shpejt.

Ministria e Arsimit nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment lidhur me shqetësimet e ngritura.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.