Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti: Këtë vit në Kosovë janë mbjellë mbi 75 mijë hektarë me drithëra të bardha

Gazeta10
11 July 2026 - 14:22

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Bujqësisë, Armend Muja, sot kanë marrë pjesë në korrje-shirjet në Podujevë. Kurti ka deklaruar se këtë vit në Kosovë janë mbjellë mbi 75 mijë hektarë me drithëra të bardha, prej të cilëve afër 72 mijë hektarë me grurë.

Sipas Kurtit, mesatarja e rendimentit pritet të jetë 4 deri 5 tonë për hektarë, që e kalkuluar i bie rreth 360 mijë tonë grurë.

“Është model që dëshmon se me investime serioze, planifikim afatgjatë dhe me mbështetje institucionale bujqësia jonë po merr një drejtim i cili është gjithnjë e më modern dhe më konkurrues. Sivjet në Republikën e Kosovës janë mbjellur gjithsej mbi 75 mijë hektarë me drithëra të bardha, prej të cilëve afër 72 mijë hektarë janë me grurë. Bazuar në gjendjen në terren dhe kushtet klimatike presim rendimente mesatare prej katër deri në pesë ton për hektarë, ndërsa procesi i korrjes pritet të përfundojë deri në fund të korrikut ose nëse do të ketë reshje mund të shkojë edhe në javën e parë të gushtit në vise të caktuara të Kosovës”, ka deklaruar Kurti, citon RTK.

Tutje duke folur për rezultatet e vitit të kaluar ai theksoi se janë korrur mbi 78 mijë hektarë e që është arritur rendimenti mesatar prej 4.8 ton për hektar dhe janë prodhuar afër 380 mijë tonë grurë.

“Rezultatet e vitit të kaluar na japin besim. Vitin e kaluar janë korrur mbi 78 mijë hektarë është arritur rendimenti mesatar prej 4.8 ton për hektar dhe janë prodhuar afër 380 mijë tonë grurë. Këto rezultate dëshmojnë potencialin e madh të bujqësisë sonë por edhe punën e palodhur të fermerëve tonë. Këto rezultate nuk ndodhin rastësisht. Ato janë rezultat i përkushtimit të fermerëve dhe politikave që atyre u japin siguri për të investuar. Pikërisht për këtë arsye këtë vit flasim për një sezon të mirë dhe flasim për një model të ri të mbështetjes së fermerëve. Me udhëzimin administrativ për pagesa direkte 2026 kemi ndërtuar një sistem modern të drejtë dhe stimulues i cili nuk mbështet vetëm sipërfaqen e mbjellë por edhe prodhimin, cilësinë, fermerët e rinj, fermat e vogla dhe praktikat e qëndrueshme të prodhimit”, pohoi ai.

Kurti, foli edhe për mbështetjen për fermerë për këtë vit duke theksuar se “Paketa e subvencioneve për vitin 2026 sjellë rritje të konsiderueshme sjellë mbështetje edhe për sektor të tjerë strategjik. Kësisoj për sektorin e perimeve e kemi rritur mbështetjen me 30% duke e quar subvencionin në 1054 euro për hektar për sipërfaqe të mbjella me perime në fushë të hapur apo në sera”.

“Me 30% është rritur mbështetje edhe për sipërfaqet e mbjella me pemë, mbështetje është rritur me 20% për grurin me rendiment të lartë, për mjedrat, patatet, fasulet, mëshqerrat për riprodhim dhe viçat për majmëri. Për vreshtat kemi rritur mbështetjen prej 10%, ndërkaq vazhdon subvencioni prej 7 centës për çdo litër qumësht të dorëzuar”, shtoi ai.

Kurse, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, paralajmëroi se prodhimi i grurit mund të arrijë për herë të parë rreth 400 mijë tonë, ndërsa rreth 23 mijë fermerë pritet të përfitojnë nga skema e subvencioneve për këtë kulturë.

“Sivjet të gjitha shenjat janë që do të kemi një rendiment rekord në Kosovë. Është momenti kur do e korrim edhe mundin e fermerëve tonë por edhe të përpjekjeve tona të përbashkëta. Ne na thojnë projeksionet që do të kemi dikund rreth 400 mijë ton grurë këtë vit që do të jetë për herë të parë që Republika e Kosovës i prek 400 mijë ton dhe është dikund rreth 50 mijë tonë më shumë sesa një vitin 2021. Po ashtu është e rëndësishme të potencohet se këtë vit do të jenë dikund rreth 23 mijë fermerë që përfitojnë nga skema e grurit dhe pagesat e tyre për hektar do të sillen mes 460 deri në 600 euro për hektar”, theksoi Muja.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.