Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Alban Zogaj: Mungon qasja serioze për zgjidhje, zgjedhjet mbeten opsion i pashmangshëm

Gazeta10
23 Prill 2026 - 18:56

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj në Gazeta ka kritikuar ashpër qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje në takimin e fundit me LDK-në, duke thënë se mungesa e seriozitetit dhe e vullnetit për kompromis po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Sipas Zogajt, ecuria e procesit varet kryesisht nga qasja e fituesit të zgjedhjeve, duke theksuar se përgjegjësia për të shtyrë përpara zgjidhjen bie mbi ata që aktualisht kanë mandatin politik.

“Varet shumë prej qasjes së fituesit të zgjedhjeve. Ata që e kanë ‘flamurin e bajrakun’ për ta shtyrë tutje këtë proces, gjithçka varet nga qasja e tyre”, deklaroi ai.

Ai bëri të ditur se në takimin e fundit palët janë dakorduar të takohen sërish, ndonëse shprehu skepticizëm për rezultat konkret.

“Në politikë çdo ditë mund të sjellë risi, por bindja jonë është se nuk ka qasje pozitive për të arritur një zgjidhje”, theksoi Zogaj.

Në mungesë të progresit, ai vlerëson se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

“Kur nuk ka zgjidhje, atëherë duhet të shkojmë në zgjedhje”, u shpreh ai.

Zogaj kritikoi edhe mënyrën se si është trajtuar procesi deri më tani, duke e cilësuar atë si joserioz dhe neglizhent. Sipas tij, vendimmarrjet janë shtyrë vazhdimisht në minutat e fundit, si në rundin e parë para vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe në rundin e dytë të bisedimeve.

“Qasja ka qenë krejtësisht neglizhente dhe e pakuptimtë, për të thënë të drejtën”, përfundoi ai.

Deklarata e plotë: https://youtu.be/wWEfVEntr_c

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.