
Futbollisti i Malishevës, Alush Gavazaj, është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e pestë në Albi Mall Superligën e Kosovës, raporton Gazeta10.
Gavazaj ishte vendimtar në fitoren e Malishevës në udhëtim ndaj Trepçës ’89, ku arriti të shënoj dy gola për t’i dhuruar fitoren skuadrës së tij.
27-vjeçari deklaroi se ky çmim është një motivim shtesë për të në ndeshjet e ardhshme.
“Ky është një çmim shumë i rëndësishëm për mua dhe për rikthimin tim në Superligën e Kosovës. Shpresoj që ky është vetëm një fillim i mbarë për ecurinë e mëtutjeshme të kampionatit. Besoj se ky çmim do të më shërbej mua personalisht por edhe skuadrës për një kampionat sa më të mbarë”, ka theksuar Gavazaj.
Gavazaj u transferua te Malisheva gjatë kësaj vere, pas një periudhe gjashtë mujore të kaluar te Vëllaznimi.
Skuadra e tij Malisheva, renditet në pozitën e pestë në tabelë me gjashtë pikë të grumbulluara.