Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Ambasadori amerikan Hovenier përmend përfitimet e Kosovës dhe Serbisë nëse arrihet marrëveshja

Gazeta10
07 February 2023 - 19:03

Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10

Shtetet e Bashkuara të Amerikanë kanë deklaruar se marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën, ashtu edhe Serbinë. Kështu ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, pasi që një ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova e pranon planin franko-gjerman. Për këtë, është deklaruar edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, derisa edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se ky plan është i pranueshëm, pasi sipas tij, aty nuk ndodhet Asociacioni.

Pranimi i planit franko-gjerman nga Kosova i ka gëzuar ndërkombëtarët.

Një ditë pasi që kryeministri i vendit, Albin Kurti kishte deklaruar se e përkrah një dokument të tillë, kanë ardhur edhe mbështetjet nga faktori ndërkombëtar.

Këtë qëndrim të institucioneve të Kosovës e ka mirëpritur edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier ka thënë se marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën, ashtu edhe Serbinë.

“SHBA-ja është e inkurajuar dhe mirëpret vendimin e Kosovës që të pranojë në parim propozimin e BE-së dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën, ashtu edhe Serbinë”, shkroi Jeffrey Hovenier – Ambasador i SHBA-së në Kosovë.

Pasi që Kosova e ka pranuar planin franko-gjerman, mbështetje ka dhënë edhe i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Kam udhëtuar në Prishtinë për ta takuar kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe në Beograd për ta bërë të njëjtën me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviqin. Më vjen mirë që edhe Kosova tani e ka pranuar në parim propozimin evropian. Do të vazhdojmë diskutimet në takime të nivelit të lartë”, ka shkruar Miroslav Lajçak – I dërguar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Por, pavarësisht që e ka pranuar planin franko-gjerman, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka hedhur kritika ndaj faktorit ndërkombëtar.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë llogari nga Qeveria e Serbisë për privimin e këtyre 4 komunave veriore. Detyrimi i tij ndaj qytetarëve vendas nëpërmjet një grushti kriminelësh, të udhëhequr nga paratë, narkotikët dhe trafikantët e armëve në listën e zezë të Thesarit të SHBA-së, duhet të dënohet publikisht.”, deklaroi Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës.

Ndërkaq, sipas kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, plani franko-gjerman është i pranueshëm për Kosovën, pasi nuk ka Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe në të.

Por, ai e ka pranuar se në atë plan Kosova e merr njëfarë obligimi për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme.

Dhe meqë këtë Asociacion e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese, sipas kryeparlamentarit, duhet të gjendet një formë e re e Asociacionit.

Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë u është dhënë propozimi evropian, por ai vazhdon të mos jetë publik, megjithëse elemente për përmbajtjes së tij janë prezantuar nga mediat.

Në këtë dokument parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë, por që nuk përmendet njohja e ndërsjellë e as anëtarësimi në OKB.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.