Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Analisti kroat: Vuçiq synon destabilizimin e Malit të Zi dhe ngadalësimin e rrugës drejt BE-së

Gazeta10
12 August 2026 - 15:52

Mali i Zi po përballet me presione të shtuara politike nga Beogradi, me synimin që t’i ngadalësohet rruga drejt Bashkimit Evropian dhe Serbia të mos mbetet e izoluar në rajon, vlerëson gazetari dhe analisti politik kroat Mario Iliçiq.

Në një deklaratë për Portal ETV, Iliçiq ka thënë se afrimi i Podgoricës me BE-në dhe anëtarësimi i saj në NATO kanë kufizuar hapësirën e ndikimit të Serbisë dhe, në mënyrë indirekte, të Rusisë në Mal të Zi.

“Anëtarësimi në NATO dhe tani afrimi i shpejtë me BE-në e zvogëlojnë ndjeshëm hapësirën e Beogradit dhe, në mënyrë indirekte, të Moskës për të ndikuar në politikën e jashtme të Podgoricës. Kjo shkakton nervozizëm dhe ofensivë të shtuar politike nga Serbia”, ka deklaruar Iliçiq, transmeton KosovaPress.

Sipas tij, deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndaj Malit të Zi nuk duhet të shihen vetëm si përplasje diplomatike, por si pjesë e interesave më të gjera politike dhe gjeopolitike të Beogradit.

Lexo po ashtuHaxhiu priti nxënësit që përfaqësuan Kosovën në EMO 2026 dhe ndau mirënjohje për taIliçiq ka theksuar se Mali i Zi gjendet në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa procesi integrues i Serbisë, sipas tij, ka ngecur prej vitesh.

“Beogradi zyrtar, përmes këtyre presioneve, përpiqet ta ngadalësojë ose destabilizojë rrugën evropiane të Malit të Zi, në mënyrë që Serbia të mos mbetet e izoluar në rajon”, ka thënë ai.
Analisti kroat vlerëson se Vuçiq nuk ka nevojë të ndërhyjë drejtpërdrejt në zhvillimet politike në Mal të Zi, pasi Beogradi, sipas tij, ka aleatë politikë brenda institucioneve malazeze.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur partitë prosërbe në Kuvend dhe kryetarin e këtij institucioni, Andrija Mandiq, duke pretenduar se përmes tyre mund të ushtrohet ndikim mbi stabilitetin e brendshëm politik.

Sipas Iliçiqit, çështjet identitare, përfshirë statusin e gjuhës serbe, shtetësinë e dyfishtë dhe ndryshimin e simboleve shtetërore, mund të përdoren për të nxitur tensione brenda koalicionit qeverisës dhe për ta paraqitur Malin e Zi si një vend politikisht të paqëndrueshëm.

Duke folur për kërkesat e disa aktorëve politikë që Podgorica ta tërheqë njohjen e Kosovës, Iliçiq ka vlerësuar se një skenar i tillë është praktikisht i pamundur.

“Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe i lidhur me detyrime ndërkombëtare, ndërsa shumica e qytetarëve dhe partive politike nuk duan kthimin në vitet ’90”, ka deklaruar ai.

Iliçiq politikën rajonale të Vuçiqit e ka ndërlidhur edhe me raportet që Serbia mban me Perëndimin dhe Rusinë, duke e cilësuar presidentin serb si “mjeshtër të balancimit” ndërmjet dy palëve.
Ai ka përmendur vizitën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Serbi dhe pretendimet për dërgimin e municioneve drejt Ukrainës përmes ndërmjetësve, duke vlerësuar se Vuçiq në këtë mënyrë synon të ruajë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane, pa i shkëputur lidhjet me Moskën.

Sipas tij, Rusia vazhdon ta ruajë ndikimin në Ballkan edhe përmes Serbisë, ndërsa tensionet në Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë apo Kosovë mund t’i shërbejnë Moskës duke zhvendosur një pjesë të vëmendjes së Perëndimit nga lufta në Ukrainë.

Iliçiq ka vlerësuar se Mali i Zi ndodhet para një momenti të rëndësishëm për të ardhmen e tij evropiane, ndërkohë që duhet të përballet me presionet politike që, sipas tij, vijnë nga Beogradi dhe Moska.

“Mali i Zi ka një mundësi historike për t’u bërë së shpejti pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa nga ana tjetër duhet vazhdimisht të shuajë zjarret politike të nxitura nga Beogradi dhe Moska përmes aleatëve të tyre vendorë”, ka përfunduar Iliçiq.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.