
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, e ka cilësuar bllokadën e konstituimit të Kuvendit si të paarsyeshme dhe të panevojshme, duke thënë se ajo po rrit tensionet dhe po dëmton demokracinë në Kosovë.
“Ndërsa bllokada institucionale, bllokada e konstituimit të Kuvendit, është e paarsyeshme, është e panevojshme, ngrit tensione, polarizon shoqërinë edhe e dëmton demokracinë në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Zemaj ka thënë se LDK-ja do të bëjë të ditur vendimin e grupit parlamentar kur ai të merret, ndërsa ka kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që ta thërrasë seancën.
“Ne kur të kemi vendim politik të grupit parlamentar, sigurisht ato edhe do t’i kuptoni. Por sot ka qenë edhe është ditë e hapur për vizitat e bashkatdhetarëve. Pjesëmarrja e politikanëve, e organizimeve politike, e grupeve politike janë me arsye sepse nuk po konstituohet Kuvendi. Ne vetëm mund të thërrasim atë të cilin e ka bllokuar për shkak të moshës, kryesuesin zotin Dehari, që ta thërrasë seancën e rregullt edhe krijohet mundësia e institucioneve të reja me dalë nga zgjedhjet”, tha ai.