Raporti: Egzona Shala
Përfaqësues të familjeve të të pagjeturve shprehen të zhgënjyer se nuk janë njoftuar se pjesë e takimit të së shtunës në Ohër do të merr pjesë edhe kryetari i komisionit qeveritar, Andin Hoti. Bajram Çerkini e Nysrete Kumanova kanë bërë thirrje që delegacioni të jetë i vëmendshëm, derisa janë shprehur skeptik se do të arrihet ndonjë zgjidhje për fatin e të pagjeturve, raporton Gazeta10.
“Ne i mbajmë ditë e natë sytë ka mediat se mos po na informojnë për të më dashurit tanë. Bimë në gjumë e nuk na merr gjumi ose i shpalosim fotografitë e më të dashurve tanë”.
Janë fjalët që më së shumti dëgjohen nga nënat, të cilat tash e mbi dy dekada janë në pritje të gjetjes së trupave të më të dashurve të tyre nga lufta e fundit në Kosovë.
E në takimin e 18 marsit në Ohër, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ndër të tjerash pritet të diskutohet për fatin e të zhdukurve.
Por, këta të fundit, nuk janë të njoftuar se pjesë e delegacionit të Kosovës për takimin e së shtunës, do të jetë edhe kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti.
Familjarët janë shprehur të zhgënjyer që Hoti, nuk u takua fillimisht me ta për të marrë edhe qëndrimet e tyre.
Ata thonë se presin që në takimin e 18 marsit, çështja e të pagjeturve të marrë epilog, pasi ky ka qenë edhe premtimi i kryeministrit të tanishëm, Albin Kurti.
Nysrete Kumnova, kryetare e shoqatës “Zëri i Nënave” ka bërë thirrje që të çështja e zhdukurve të zbardhet.
Kanal 10, ka provuar të kontaktojë me Andin Hotin dhe zyrën e komisionit qeveritar, për të marrë më shumë sqarime, por gjatë gjithë ditës ata nuk janë përgjigjur.
Ndryshe, sipas propozimit evropian thuhet se palët pajtohen të thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, raportet në drejtësi dhe vendosje të ligjit, postë dhe telekomunikim, shëndetësi, kulturë, religjion, sport, ruajtje të mjedisit, persona të pagjetur dhe fusha tjera të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike. /Gazeta10/