Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Arben Gashi: Më 7 qershor qytetarët duhet të bëjnë zgjedhje, jo vetëm votim

Gazeta10
20 May 2026 - 0:16

Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovë ka deklaruar se zgjedhjet e 7 qershorit duhet të jenë një moment ku qytetarët zgjedhin drejtimin e vendit përmes ideve, programeve dhe platformave politike.

Në emisionin “Adresa”, Gashi tha se qytetarët duhet të votojnë me bindje dhe besim, duke theksuar se më 7 qershor nuk duhet të ketë vetëm votim, por zgjedhje të vërtetë politike.

“I ftoj qytetarët e Kosovës që të votojnë me bindje, me besim. Do të ketë zgjedhje, jo vetëm votim. Qytetarët me 7 qershor kanë me zgjedh drejtimin ku e kanë marrë Kosovën”, deklaroi ai.

Sipas tij, partitë politike kanë detyrë që gjatë kësaj periudhe të prezantojnë oferta konkrete dhe t’u japin qytetarëve mundësinë për të zgjedhur mes programeve, ideve dhe njerëzve që garojnë për të udhëhequr vendin.

“Na duhet me ju dhonë mundësi qytetarëve me zgjedh program, ide, njerëz, platformë dhe drejtim”, tha Gashi.

Ai kritikoi mënyrën e deritanishme të fushatave politike, duke thënë se qytetarët nuk duhet të votojnë mbi bazën e zhurmës, ofendimeve apo përçarjeve politike.

“Jo me zgjedhë urrejtjen, jo me zgjedhë zhurmën, jo me zgjedhë përçarjen. Qytetarët duhet të zgjedhin programin, idealin, perspektivën dhe njerëzit më kredibilë”, u shpreh ai.

Tutje, Gashi theksoi se cilado qoftë zgjedhja e qytetarëve, ajo duhet të respektohet, pasi demokracia funksionon mbi vullnetin e lirë të votuesve.

“Cilado qoftë zgjedhja e qytetarëve të Kosovës duhet të respektohet. Në fund, qytetarëve u mbetet të zgjedhin idenë, shpresën dhe besimin për këtë vend”, përfundoi ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.