
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me zvarritjen e punimeve në autostradën e Gjilanit, duke kritikuar mungesën e progresit në këtë projekt edhe pas tetë vitesh.
Në një video të publikuar bashkë me postimin, ku shihen punimet në terren, Arifi shpreh shqetësimin për gjendjen e projektit, i cili, sipas pamjeve, është ende larg përfundimit.
“Autostrada e Gjilanit po merr përmasa të ndërtimit si të Piramidave të Egjiptit. Asnjë progres as pas 8 vitesh”, ka shkruar Arifi.
Ai ka ngritur shqetësimin edhe për mungesën e angazhimit për vazhdimin e punimeve, duke theksuar se dhjetëra miliona euro të investuara rrezikojnë të zhvlerësohen me kalimin e kohës.
“Asnjë njeri, askush nuk po merret me vazhdimin e punimeve, e 70-80 milionë eurot e deritanishme po i gërryen koha. Po prishet rruga ende pa u përfunduar”, ka deklaruar Arifi.