
Një operacion i madh i Policisë së Shqipërisë ka përfunduar me arrestimin e pesë personave, nën dyshimet se kanë poseduar 10 mijë doza të tabletave ekstazi.
Të arrestuarit janë dy djem e një vajzë shqiptare dhe dy të tjerë shqiptarë të Kosovës, në mesin e tyre asamblisti i Vetëvendosjes në Prishtinë, Besnik Mujeci.
Në janar të këtij viti gjatë operacionit të koduar “PUNISHER” u godit një grup shpërndarësish të drogave sintetike, ku u arrestuan tre persona, u shpall në kërkim një tjetër, si dhe u sekuestruan 1007 tableta ekstazi MDMA.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në vijim të hetimeve për furnitorët e grupit të arrestuar në janar, ra në gjurmët e një rrjeti që trafikonte sasi të mëdha droge sintetike nga Kosova në Shqipëri.
Pas një hetimi disamujor me metoda speciale, policia zbuloi një grup prej pesë personash dhe gjatë operacionit të koduar “PUNISHER 2” u vunë në pranga Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Ata janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.
Duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik, ata i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me makina të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci.
Tabletat e ekstazisë MDMA, së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, transmeton Top-Channel.
Gazeta10 ka provuar të kontaktoj edhe me shefin e asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.