
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka arrestuar të dielën në Zveçan personin me inicialet I.M., i dyshuar për disa vepra penale që lidhen me dhunën e majit të vitit 2023.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, arrestimi është kryer nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale.
I.M. dyshohet për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese” dhe “Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”.
Sipas autoriteteve, i arrestuari dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023.
Arrestimi, sipas njoftimit, është bërë pas ndërmarrjes së një sërë veprimeve hetimore.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se do të ndërmarrin veprimet e mëtejshme procedurale në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.