
Personi i dyshuar për të shtënat me armë zjarri që ndodhën sot në rrugën “Wesley Clark” në Pejë, është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Personi që dyshohet se ka shtënë sot me armë zjarri, pas arrestimit nga Policia e Kosovës dhe intervistimit është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit”, ka thënë Nikçi.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:50 në rrugën “Wesley Clark”, ku Policia ishte njoftuar për të shtëna me armë zjarri.
Sipas Policisë, një person ka qenë cak i sulmit, por fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar.
I dyshuari fillimisht ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas është arrestuar nga Policia e Kosovës.