
Policia e Shqipërisë ka njoftuar se ka arritur që ta arrestojë një person të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sipas forcave të rendit, operacioni është zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
“Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe përdorimin e metodave speciale të hetimit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fast”, u bë i mundur lokalizimi në qendër të Ksamilit, në një automjet tip “Audi”, kapja dhe arrestimi i shtetasit E. K. (Ç.), 34 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë në qytetin e Elbasanit.”, thuhet në njoftim.
Aty thuhet se në momentin e ndërhyrjes, ky shtetas ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë.