
Mesfushori me prejardhje shqiptare, Granit Xhaka në afatin kalimtar veror pritet të rikthehet në Bundesliga.
Bayer Leverkuseni është tash e një kohë e interesuar për shërbimet e tij, teksa kjo marrëveshje pritet të finalizohet brenda kësaj jave.
Leverkuseni nuk kishte arritur marrëveshje me Arsenalin për shumën e transferimit, ndërsa tanimë klubi gjerman ka rritur shifrën në 25 milionë euro për Xhakën, shumë kjo që pritet të pranohet nga ekipi londinez.
30-vjeçari kishte luajtur në Bundesligë për katër vite, përpara se të transferohej te Arsenali në vitin 2016.
Edicioni 2022/23 ishte më i miri i reprezentuesit zviceran me fanellën e Arsenalit, ku arriti të shënonte nëntë gola dhe shtatë asistime në 47 ndeshje në të gjitha garat.
Gjatë qëndrimit të tij në Londër, Xhaka ka fituar dy herë Superkupën angleze dhe dy herë të tjera Kupën FA.