
Skuadra londineze Arsenal, është duke kryesuar garën për të transferuar në “Emirates” gjatë merkatos verore, mesfushorin anglez Declan Rice.
Sipas raportimeve nga Anglia, Arsenali po shihet si destinacioni më i mundshëm për anglezin i cili pritet të largohet nga West Ham në fund të këtij edicioni.
Mikel Arteta thuhet të jetë një admirues i madh i Rice, për shkak të aftësive teknike dhe lidershipit që ai posedon, dhe se do përshtatej mjaft mirë në skemat e tij.
Tekniku spanjoll ka dëshmuar se është mjaft i zoti në zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe shembulli më i mirë për këtë është bashkëlojtari i Rice tek kombëtarja angleze, Bukayo Saka, i cili këtë sezon po arrin shifrat më të larta në karrierë.
Kjo e ka bërë 24-vjeçarin që të konsideroj mundësinë e kalimit tek “Topçinjtë”, duke shtuar edhe faktin se londinezët do luajnë në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm, kompeticion në të cilin anglezi është shprehur më herët se ëndrron të luajë.
Rice ka kontratë me West Ham deri në verën e vitit 2024, dhe palët nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët për ta zgjatur atë edhe më tutje.