
Komentatori politik, Arton Demhasaj në Adresa kritikoi trendin e krijimit të vazhdueshëm të mekanizmave të rinj institucionalë për luftimin e korrupsionit dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, duke thënë se kjo qasje nuk po jep rezultate konkrete në praktikë.
Sipas tij, në vend se të krijohen struktura të reja, më efektive do të ishte forcimi dhe specializimi i institucioneve ekzistuese si policia, prokuroria dhe gjykatat.
Demhasaj vlerëson se në Kosovë është ndjekur shpesh një qasje e ndërtimit të mekanizmave të rinj për luftimin e korrupsionit, por sipas tij, këto nisma nuk kanë prodhuar sukses të dukshëm. Ai madje thekson se në shumë raste efekti ka qenë i dobët ose edhe më i keq se më parë.
“Gjithmonë krijimi i mekanizmave të rinj ka shërbyer më shumë për të mbuluar korrupsionin sesa për ta luftuar atë në mënyrë reale,” ka deklaruar ai, duke shtuar se fokusi duhet të kalojë te forcimi i hallkave ekzistuese dhe jo te shtimi i mekanizmave të rinj.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/jB_zu13bJF0