
Aston Villa ka shprehur interesim për të nënshkruar me sulmuesin e Real Madridit, Marco Asensio dhe pritet t’i bëjnë një ofertë së shpejti për ta bindur atë për një kalim në Premier League.
27-vjeçari ka kontratë me madrilenët deri në fund të këtij sezoni, dhe me të ardhmen e tij ‘në ajër’, klubi anglez janë duke e monitoruar situatën e tij për së afërmi.
Menaxheri i Aston Villës, Unai Emery është duke kërkuar transferime në fazën e sulmit, dhe ai po e sheh Asension si lojtarin e duhur për të përforcuar ekipin e tij.
Asensio është një klient i agjentit Jorge Mendes, me të cilin Aston Villa ka raporte të ngushta, andaj ky transfer mund të bëhet lehtë realitet.
Përveç Aston Villës, interesim për spanjollin kanë shfaqur edhe një numër i klubeve nga Premier League, dhe ofertat në drejtim të tij nuk do të mungojnë në rast se nuk arrihet një marrëveshje me “Los Blancos” për zgjatjen e kontratës.
Asensio këtë sezon është paraqitur në 46 ndeshje në të gjitha garat me Realin, ku ka kontribuar me 11 gola e 8 asistime.