
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka deklaruar se aktivistja e këtij subjekti politik, Sonila Pllashniku është arrestuar sot.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Molliqaj ka shkruar se këtë vit, “ka pasur shumë dhurata për partinë, e shumë dëme për Kosovën”.
Sipas tij, po bëhet Asociacioni, po dënohet UÇK-ja dhe po “keqarsimohet rinia”.
“Kjo qeveri që e kapi Universitetin, ia uli buxhetin universiteteve publike, zvogëloi pagat e profesorëve, favorizoi arsimin privat, nuk është e mirëpritur në hapësirat universitare!” – ka shkruar ai.
Tutje, Molliqaj ka shkruar si vijon:
“Prandaj sot aktivistja e PSD-së Sonila Pllashniku ia ndërpreu fjalën Kryeministrit duke fishkëlluar në shenjë proteste dhe duke shpërndarë një fletushkë ku i listuam pikërisht dëmet e mësipërme që Kryeministri ia solli Kosovës këtë vit”.
Tutje, ai ka thënë se Policia e Kosovës e ka arrestuar Sonila Pllashnikun dhe sipas tij, kryeministri nuk po e duron fjalën e lirë.
“Në mënyrë të padrejtë, të papranueshme dhe tërësisht jodemokratike, Policia e Kosovës arrestoi Sonilën. Babadimri siç duket nuk e duron fjalën e lirë; nuk e duron protestën; nuk i duron fletushkat që shpalosin të vërtetën për të!” – u shpreh ai.
Postimi i plotë: