
Pas publikimit të këngës së saj të re, “BAD”, Era Istrefi ka ndarë me ndjekësit një mesazh të fuqishëm për atë se çfarë përfaqëson kënga dhe gruaja që ajo ka dashur të portretizojë përmes saj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, këngëtarja e përshkruan “BAD” si një himn për gratë që e njohin vlerën e tyre, vendosin veten të parën dhe nuk jetojnë për aprovimin e të tjerëve.
Era shprehet se bëhet fjalë për një grua që e ruan qetësinë e saj, është e fokusuar në jetën që po ndërton dhe te njerëzit që do. Ajo punon shumë, e di vlerën e vet dhe nuk ka nevojë për aprovimin e askujt.
Sipas saj, kjo figurë është njëkohësisht e sigurt në vete, ambicioze, pa komplekse dhe e vendosur për ta marrë atë që i takon.
“Osht e fortë dhe bossy, po nt’njejtën kohë femnore, sensuale dhe joshëse. Mundet me qenë e butë, po edhe me pas ni fuqi që ndihet sapo hyn n’dhomë”, ka shkruar Istrefi.
Këngëtarja thekson se mesazhi i “BAD” lidhet pikërisht me vetëbesimin dhe fuqinë personale.
“Ajo nuk ka nevojë me i dëshmu kurgjo askujt. Thjesht hyn, e merr hapësinën e vet dhe e din fuqinë që e ka”, shprehet Era.
Në fund, Istrefi e dedikon këngën për të gjitha gratë me “main character energy”, që e dinë vlerën e tyre dhe nuk shqetësohen nga ajo që mendojnë të tjerët.
“BAD” vjen kështu jo vetëm si një këngë e re në repertorin e Erës Istrefi, por edhe si një deklaratë për vetëbesimin, pavarësinë dhe fuqinë femërore.