
Biznesmeni dhe veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka reaguar pas fjalimit të ekspertes së politikës së jashtme, Donika Emini, në një aktivitet në zemër të Evropës, duke kritikuar Bashkimin Evropian për, siç thotë ai, zbatimin e standardeve të dyfishta ndaj Kosovës.
Në një reagim të publikuar në platformën X, Bajraktari ka përgëzuar Eminin për fjalimin e saj, të cilin e ka cilësuar si të fuqishëm, ndërsa ka shprehur kritika ndaj qasjes së institucioneve evropiane në raport me Kosovën.
Ai ka thënë se Bashkimi Evropian shpesh nuk i respekton vlerat demokratike që pretendon se i mbron.
“Fatkeqësisht, Bashkimi Evropian shumë shpesh zbaton standarde të dyfishta dhe dështon të respektojë vlerat demokratike që pretendon se i mbron”, ka shkruar Bajraktari.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit dhe skandalit të krijuar pas interpretimit të një kënge serbe me përmbajtje që cenon sovranitetin e Kosovës në një aktivitet në kuadër të institucioneve evropiane, Bajraktari ka theksuar se bota duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i lirë, i pavarur, sovran dhe demokratik.
Sipas tij, tolerimi i mesazheve të tilla brenda institucioneve evropiane dëshmon se Kosova nuk ka aleat më të rëndësishëm dhe më të besueshëm sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Bota duhet ta kuptojë, një herë e përgjithmonë, se Kosova është shtet i lirë, i pavarur, sovran dhe demokratik. Skandali i fundit i tolerimit të mesazheve që cenojnë sovranitetin e Kosovës brenda institucioneve evropiane tregon se Kosova nuk ka aleat më të rëndësishëm dhe më të besueshëm sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit, Bajraktari ka përcjellë një mesazh për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosovën dhe shqiptarët.
“Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin amerikan, Zoti e bekoftë Kosovën dhe të gjithë popullin shqiptar!”, ka përfunduar ai.
🇽🇰🇽🇰🇽🇰 I commend foreign policy expert Donika Emini for this powerful speech in the heart of Europe!
Unfortunately, the European Union 🇪🇺 too often applies double standards and fails to respect the democratic values it claims to uphold.
The world must understand, once and for… pic.twitter.com/QV8Tlc7RvR
— Harry Bajraktari (@HarryBajraktari) November 16, 2026