Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Bajrami: Raporti evidenton shkelje materiale, procedurale dhe mosrespektim të standardeve ndërkombëtare

Gazeta10
14 October 2026 - 13:48

Profesori i së drejtës kushtetuese dhe njëri prej hartuesve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, ka vlerësuar raportin e Avokatit të Popullit, duke shprehur shqetësime lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve për gjykim të drejtë në Dhomat e Specializuara.

“E vlerësoj shumë lart këtë raport të Avokatit të Popullit, ku ai në kontinuitet ka shprehur shqetësime për këtë proces. Po flas këtu në cilësinë e profesorit të së drejtës kushtetuese, njëri prej hartuesve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe fillimisht dua të theksoj se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka promovuar standardet më të larta për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Pra, kapitulli 2 dhe 3 i Kushtetutës së Kosovës do të trajtojë një nga modelet më të mira evropiane se si zbatohet Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dhe nëse Republika e Kosovës ka promovuar këto standarde kaq të larta, ka të drejtë legitime që të kërkojë respektimin e tyre ndaj shtetasve të Kosovës”, tha Bajrami.

Ai tha se themelimi i Dhomave të Specializuara ishte një moment delikat për Kosovën dhe se vendimi për delegimin e sovranitetit ishte marrë me besimin se gjykata do të promovonte standardet më të larta të drejtësisë evropiane.

“Në radhë të parë dua t’i adresohem këtu mysafirëve ndërkombëtarë, përfaqësuesve të Këshillit të Evropës, përfaqësuesve të zyrave diplomatike, për të treguar se themelimi i Dhomave të Specializuara ka qenë një moment shumë delikat për Republikën e Kosovës, sepse ka filluar pas konfirmimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe opinionit këshilldhënës me të cilën është konfirmuar se procesi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka qenë në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Dhe ky proces është zhvilluar me mirëbesim. Pra, Republika e Kosovës ka marrë një vendim shumë të rëndë që në emër të sovranitetit sovran të delegojë sovranitetin e vet te një gjykatë e specializuar me besimin e popullit të Kosovës që ajo do të promovojë standardet më të larta të drejtësisë evropiane. Për shkak se edhe vetë Këshilli i Evropës, por edhe vetë Bashkimi Evropian është i ndërtuar mbi bazat e sundimit të ligjit”, theksoi ai.

Bajrami tha se, pas dhjetë vjetësh, në vend të një procesi model, qytetarët dhe institucionet e Kosovës po shprehin shqetësime për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

“Dhe, në vend që ne të shohim këtë vit tani po bëhen 10 vite një proces model të promovimit të standardeve të larta të Bashkimit Evropian, me të drejtë populli i Kosovës, qytetarët e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Avokati i Popullit po shprehin shqetësimin legjitim për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në një proces i cili është premtuar se do të jetë proces i drejtë, një proces që do të arsyetonte komplet pritjet e qytetarëve evropianë e taksapaguesve evropianë dhe që do të promovonte standardet më të larta”, tha Bajrami.

Ai kritikoi procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara, duke pretenduar se janë evidentuar shkelje materiale dhe procedurale, si dhe mosrespektim i standardeve ndërkombëtare për gjykim të drejtë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.