Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Zulfaj takon eurodeputetin Reuten, diskutohen hapat e Kosovës drejt BE-së

Gazeta10
14 October 2026 - 13:31

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar një takim me eurodeputetin Reuten në Parlamentin Evropian në Bruksel, ku diskutuan për rrugëtimin evropian të Kosovës dhe rëndësinë e avancimit të procesit të integrimit në BE.

Gjatë takimit, Zulfaj e falënderoi eurodeputetin Reuten për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht në procesin e integrimit evropian.

Reuten ka luajtur rol të rëndësishëm në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, në cilësinë e raportuesit të Parlamentit Evropian për këtë proces, i cili u mundësoi qytetarëve të Kosovës udhëtimin pa viza në zonën Schengen.

Zulfaj theksoi se avancimi i Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është në interes të përbashkët të Kosovës dhe BE-së.

Ai nënvizoi se procesi i zgjerimit duhet të bazohet në meritë, sundimin e ligjit dhe respektimin e vlerave themelore të Bashkimit Evropian, të përcaktuara në nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian.

Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e përafrimit të plotë të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si pjesë e përpjekjeve për avancimin e mëtejshëm të procesit të integrimit evropian.

Takimi në Bruksel është pjesë e ciklit të takimeve që kryenegociatori Jeton Zulfaj po zhvillon me deputetë të Parlamentit Evropian dhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, me fokus në rrugën evropiane të Kosovës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.