
Ish-deputeti dhe ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka thënë se në librin e tij më të ri “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë”, vërtetohet se gjatë viteve 1998 dhe 1999 ka pasur gjenocid klasik në Kosovë.
Sipas tij, termin e gjenocidit e ka përcaktuar më së miri konventa e OKB-së më 1948, transmeton Paparaci.
“Gjatë viteve ’98-99 ka ndodhur gjenocidi. Në fakt libri, niset nga ajo që quhet gjenocidi. Këtë e ka përcaktuar konventa e Kombeve të Bashkuara e vitit 1948 dhe e krijuar për herë të parë krimin e gjenocidit si vepër penale”, tha ai të hënën në Klan Kosova.
“Në këtë libër, kam vërtetuar se ajo çfarë ka ndodhur gjatë vitit 1998, 1999 është gjenocid klasik. Sepse përmban të gjitha tiparet e gjenocidit. Serbia, shteti serb ka pasur një plan të detajuar, gjenocidal, me të cilën ka pasur synim shfarosjen biologjike të kombit shqiptar, depërtimin e tij nga trojet etnike, shkatërrimin e pronës dhe pasurisë së gjithë qytetarëve”, shtoi anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.