Sport

Ballkani i pandalshëm në Ligën e Konferencës, arrin fitore ndaj Lincoln

Gazeta10
10 Gusht 2023 - 22:44

Ballkani i Suharekës ka bërë hap të rëndësishëm drejt kalimit në plejofin e Ligës së Konferencës. Të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Ballkani fitoi 2:0 ndaj kampionit të Gjibraltarit, Lincoln Red Imps. Ishte kjo ndeshja e parë e raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Ndeshja e kthimit është më 17 gusht në Gjibraltar. Kampioni i Kosovës, Ballkani, te fitorja erdhi në pjesën e dytë. Në fakt ka dominuar edhe në pjesën e parë, por golat i realizoi në pjesën e dytë. Meriton Korenica shënoi për 1:0 në minutën e 59-të. Ai shënoi gol mjeshtëror nga zona, pas asistimit të bukur të Nazmi Gripshit.

Ndërkohë për 2:0 shënoi Lorenc Trashi menjëherë në minutën e 62-të. Pas një krosimi të Armend Thaqit, Trashi goditi shumë bukur nga distanca për të realizuar supergol. Ekipi suharekas në raundin e dytë e eliminoi Larnen e Irlandës së Veriut. Fitoi 3:0 në Prishtinë e 4:1 në Irlandë të Veriut. Të enjten, Ballkani luajti pa sulmuesin kryesor, Albion Rrahmani, i transferuar në fillim të javës te Rapidi i Bukureshtit. Mungoi për shkak të lëndimit Lindon Emërllahu, mesfushori i pandalshëm. Por sërish Ballkani shfaqi ndeshje të madhe dhe mori fitore të vlefshme. Plejofi është raundi i fundit para fazës grupore. Vjet Ballkani u paraqit në grupe dhe sukses të njëjtë synon edhe tani.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.