Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Ballkani në Suharekë, ‘arrë e fortë’ për Dritën

Gazeta10
02 Nëntor 2023 - 12:37

Pesë vitet e fundit, përballja Ballkani – Drita po konsiderohet si derbi dhe një ndeshje që ‘gjithmonë’ përcakton vendin e parë në tabelë.

Që nga sezoni 2019/20, këto dy klube ‘luftojnë’ me njëra-tjetrën për titullin e kampionit, me Ballkanin që ka dal më mirë në këtë aspekt, duke triumfuar dy herë radhazi në dy sezonet e fundit.

Nga shumëkush, duke nisur nga analistët sportiv e deri te futbolldashësit, konsiderojnë këto dy klube si më të mirat në Kosovë, duke marrë parasysh cilësinë e lojtarëve e organizmin e brendshëm. 

Janë dy nga klubet që deri më tani kanë përfaqësuar më së miri Kosovën në arenën ndërkombëtare, sidomos Ballkani, i cili është kualifikuar dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

E kështu, tash e pesë vite, sa herë këto dy klube përballen më njëra-tjetrën zgjon interesimin e gjithë Kosovës.

Mirëpo, që nga koha që Ballkani hyri në Superligë në sezonin 2018/19, Drita nuk po arrin assesi të mposhtë skuadrën e Ballkanit në ‘shtëpinë’ e tij në Suharekë.

Pikërisht ishte sezoni 2018/19, kur për herë të fundit Drita ‘shijonte’ fitoren e parë dhe të fundit deri më tash në qytetin e Suharekës.

Ishte 5 marsi i vitit 2019 kur Drita udhëtonte për në Suharekë, me Ballkanin që qëndronte larg kreut të tabelës atëbotë. Gjilanasit u rikthyen në Gjilan me tri pikë pas fitores 2-1.

Ballkanin dilte i pari në epërsi me anë të Jetmir Topallit, mirëpo në skenë për Dritën dolën Haxhi Neziraj e Kyrian Nëabueze të cilën kompletuan rikthimin për fitoren e Dritës.

Mirëpo, që nga ajo kohë, Drita sa herë udhëtonte në Suharekë, duhej të pajtohej me humbje ose barazim, sepse fitoren më nuk e arritën.

Që nga ajo përballje, u zhvilluan edhe 9 ndeshje në Suharekë, të cilat u luajtën në kuadër të Superligës së Kosovës.

Në këto ndeshje, 7 ndeshje përfunduan në të mirë të Ballkanit, gjersa dy ndeshje përfunduan më barazim.

Klubi suharekas përgjatë kësaj kohe shënuan 15 gola, kundrejt 4 golave të skuadrës gjilanase.

Në këtë periudhë kohore, Ballkani ndaj Dritës si vendas u desh të luajë një ndeshje jashtë Suharekës, për shkak të punimeve në stadiumin e qytetit.

Ajo ndeshje u luajt në “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me rezultatin përfundimtar 2-0 në të mirë të Dritës. Kjo duke konfirmuar se Drita ka vështirësi sa herë luan në ‘folenë’ e kampionëve aktual të Kosovës.

Ballkani kryeson tabelën e Superligës këtë edicion me 29 pikë, pa asnjë humbje, gjersa ndiqet nga Drita në vendin e dytë me 22 pikë.

Këto dy ekipe kanë një ndeshje të pa zhvilluar, pikërisht përballjen mes vete, e cila do të luhet në qytetin e Gjilanit, mirëpo nuk ka asnjë datë të caktuar.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.