
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka konsideruar se si shkaktar të tensioneve në veri të vendit i sheh ‘’bandat fashiste’’ të dirigjuara nga Serbia, shkruan Gazeta10.
Muja teksa po fliste për stabilitetin e veriut në Politiko, ka thënë se një gjendje e tillë ka qenë çdo herë në këtë pjesë të Kosovës, duke përmendur edhe një rast të tij personal se si njëherë ishte rrethuar nga bandat kriminale në Mitrovicë.
‘’Veriu vazhdimisht ka qenë jostabil, sidomos për gara politike qofshin shqiptar apo serbë. Po t’i japi argumentet në fushatën zgjedhore ne, unë kam qenë personalisht në Kodrën e Minatorëve në fundin e janarit 2021 dhe këto banda fashiste më kanë rrethuar në shkollën ‘’Aziz Sylejmani’’. Ishte para se ne të vinim në pushtet, tek e fundit isha një figurë që u kyça nga shoqëria civile.’’, deklaroi ai në “Politiko’’.
Tutje, ai ka përmendur edhe raste tjera, duke thënë se kandidatët serb në veri kanë pësuar nga këto banda vetëm pse ishin rival të Listës Serbe.
‘’Po t’i jap përshkrimet çfarë kandidatët serbë kanë pësuar nga këto banda. Në vitin 2018 misioni i zgjedhjeve të BE-së, thotë se institucionet paralele ishin të përfshira në presionin që po u bëhej serbëve dhe kandidatëve serbë. Të njëjtën deklaratë e dha edhe zgjedhjet e fundit. Me 16 janar 2018 vritet Oliver Ivanoviq. Me 12 janar 2018 Ivanoviqi po ankohej se po i bëhej presion e kërcënohej nga këto banda fashiste që ai thoshte se janë banda nga Serbia. 03.07.2017 Dragizha Milloviq, mjek që ka qenë kandidat për zgjedhe në Zveçan është kërcënuar e iu ka djeg vetura. Rasti tjetër, Dranzh Stojkoviq, iu ka hedh bombë në shtëpi, ka qenë rival i Listës Serbe… 280 pjesëtarë serbë të FSK-së kanë raportuar kërcënime nga këto banda fashiste.”, ka thënë ai.
Tutje ai ka përmendur edhe sulme me bomba dhe vrasje të tjera ndaj gazetarëve dhe politikanëve në veri, duke theksuar se si Qeveri ata e mendojnë Kosovën si demokraci, që nënkupton edhe pluralizëm politik tek komunitetet, por që kjo po i pengon Listës Serbe./Gazeta10