
Çmimet e pronave të banimit në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit është rritur për 7.3 për qind në TM2 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Rritja është edhe më e theksuar në rajonet jashtë Prishtinës, ku çmimet e pronave të banimit janë rritur për 12.8 për qind në raport me TM2 të vitit të kaluar.Ndërkohë, në rajonin e Prishtinës, rritja e çmimeve ka qenë 4.1 për qind.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2026, çmimet e pronave të banimit në Kosovë janë rritur për 1.3 për qind.Sipas indeksit, vlera e çmimeve të pronave të banimit në TM2 2026 ka arritur në 132.3 pikë, ku viti 2018 merret si bazë me 100 pikë.Kjo nënkupton se, krahasuar me vitin bazë 2018, çmimet e pronave të banimit në Kosovë janë rritur ndjeshëm.Rritja e çmimeve të banesave dhe pronave vazhdon të jetë një prej çështjeve që prek drejtpërdrejt qytetarët, veçanërisht familjet dhe të rinjtë që synojnë të blejnë pronë.