
Deputeti i LDK’së, Ermal Sadiku, ka dalë me një “sqarim” për qëndrimin e tij pro kandidatit për President, Bekim Sejdiu, që u dakordua nga partia e tij dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Ai thotë se rreshtimi në këtë anë, ndryshe nga gjashtë bashkëpartiakët e tij deputetë, nuk e “bën” atë përkrahës të Albin Kurtit.
Sadiku tha se shumica e LDK’së kishte vendosur që të mos marrin pjesë në qeveri, por të kërkojnë një kandidat konsensual për President, prandaj ai thotë se mbështeti nominimin e Sejdiut.
“Unë i jam bindur këtij vendimi të partisë dhe kemi vazhduar tutje sepse ishin shumicë. Kryetarit Abdixhiku i kemi thënë: shko dhe gjeje një president konsensual pa pjesëmarrje në qeveri”.
Në fund, Sadiku tha se ky qëndrim i mbajtur s’e vë kundër gjashtë deputetëve të tjerë që e refuzuan nominimin e Sejdiut, duke thënë se ata kanë të drejtën të votojnë sipas bindjeve të tyre. Krahas kësaj, Sadiku e vuri në pah historinë e gjatë në LDK të këtyre deputetëve.
Postimi i plotë:
**Sa për sqarim:**
Në mbledhjen e PARAFUNDIT të GP-së së LDK-së, kam qenë ndër të vetmit deputet që kam thënë se duhet të bëjmë çmos për ta ndalur pushtetin e Kurtit, edhe nëse kjo na dërgon në zgjedhje dhe unë e humb pozitën time si deputet.
**“Pozita ime si deputet është shumë më pak e rëndësishme sesa mundësia për ta larguar nga pushteti një person si Kurti, që besoj se po i bën keq këtij vendi.”**
Këto kanë qenë fjalët e mia dhe vazhdoj të besoj në to.
Por kjo ide nuk e ka pasur përkrahjen e shumicës në parti. Shumica ka vendosur që LDK-ja të mos marrë pjesë në qeverisje dhe të kërkojë një president konsensual.
Unë i jam bindur këtij vendimi të partisë dhe kemi vazhduar tutje sepse ishin shumicë.
Kryetarit Abdixhiku i kemi thënë: shko dhe gjeje një president konsensual pa pjesëmarrje në qeveri.
Dje, në mbledhjen e GP-së, pikërisht kjo ishte arsyeja pse kam vendosur të qëndroj në anën e propozimit për president konsensual, të cilin kryetari Abdixhiku e ka negociuar me Kurtin.
Kjo nuk më bën përkrahës të Kurtit. Qëndrimet e mia ndaj tij dhe qeverisjes së tij janë publike dhe të qarta.
Por, po aq e rëndësishme: kjo nuk më bën as armik të gjashtë deputetëve që kanë vendosur ndryshe. Nuk kam asgjë kundër tyre. Ata kanë të drejtë ta mbajnë qëndrimin e tyre dhe të votojnë sipas bindjes së tyre. Ata janë LDK më gjatë se unë dhe kanë histori në LDK me shume se unë.