
Përkundër rritjes së inflacionit në Kosovë, përfshirë këtu rritjen e çmimeve të produkteve esenciale e energjisë, vetëm një sektor ka përformuar mirë në këtë kohë krize.
Bankat dhe institucionet mikrofinanciare kanë përfituar shuma të majme të hollash. Në fakt, fitimi neto të tyre për rriten çdo vit.
Ndërkohë, qytetarët kanë vazhduar ankesat ndaj këtij sektori për normat e larta të interesit për kredive.
Liridona Murati, është një nga kredi marrëset e bankave të Kosovës. Ajo ka thënë se për 10 vjet rresht ka paguar kredi që e ka marrë për nevojat e saj personale.
Ajo i ka treguar Nacionales se para dy muajsh e ka përfunduar pagesën e kredisë edhe po ndihet shumë më mirë që nuk ka ndonjë obligim ndaj bankës.
“Ka plotë 10 vite që kam paguar për kredi që e kam marrë për nevoja personale. Kohën e fundit e kisha shumë të vështirë t’ia dilja edhe të paguaja kredinë për shkak të rritjes së çmimeve. Po ndihem shumë mirë, pasi kishte raste që nuk kisha mundësi që ta paguaja në kohë kredinë dhe telefonatat e zyrtarëve të bankës ishin të vazhdueshme”, ka thënë ajo.
Bankat nuk e kanë njohur këtë krizë. Vetëm në muajin janar, bankat në vend kanë fituar 13,4 milionë euro të pastra.
Siç thuhet në raportin e fundit të BQK-së, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, pra me janarin e vitit 2022, në janarin e këtij viti, bankat kanë fituar rreth 2.5 milionë euro më shumë.
Të hyrat në muajin janar të këtij viti e kapën vlerën e 31,6 milionë eurove, ndërsa shpenzimet ishin 18,3 milionë euro.
Vlera e aseteve të bankave në vend ishte 6 miliardë e 679 milionë e 500 mijë euro. Shuma e kredive deri në janar ishte 4 miliardë e 314 milionë e 700 mijë euro. Nga kjo shumë, 1 miliard e 640 milionë e 200 mijë euro ishin të lëshuara për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 647 milionë e 100 mijë ishin për korporatat jofinanciare dhe 11 milionë e 700 mijë ishin për korporatat e tjera financiare.
Agjencia e Statistikave të Kosovës / Inflacioni 12,7% në shtator, fluturon çmimi i drurit e peletit – rritet për 60%
Norma në kredi në muajin janar të vitit 2023 ishte 6,6 për qind.
Vlen të theksohet se qytetarët kosovarë kishin 5 miliardë e 543 milionë e 400 mijë euro si depozita nëpër banka.
3 miliardë e 687 milionë e 300 mijë ishin të ekonomive familjare, 1 miliard e 119 milionë e 300 mijë ishin të korporatave jofinanciare dhe 284 milionë e 600 mijë të korporatave të tjera financiare.
Sa është fitimi i institucioneve mikrofinanciare në vend?
Përveç bankave komerciale në vend, janë edhe institucionet mikrofinanciare që kanë fituar një shumë të majme të hollave.
Sipas po të njëjtit raport, IMF-të në vend për një muaj kanë fituar 1,4 milionë euro. Pesë milionë euro ishin të hyra, ndërsa 3,6 milionë ishin shpenzime.
Vlera e aseteve për një muaj ishte 403 milionë e 900 mijë euro. IMF-të gjatë muajit janar kishin kredi të dhuruara ekzistuese me vlerë rreth 291 milionë e 700 mijë euro. 185 milionë e 100 mijë euro ishin për ekonomitë familjare, ndërsa 106 milionë e 600 mijë ishin për korporata jofinanciare.
Ndërkohë trendi i rritjes së çmimeve në Kosovë ka vazhduar edhe në ditët e para të muajit mars. Këtë e dëshmon ASK-ja përmes përditësimit të tabelave, ku tregon për çmimet mesatare të disa prej produkteve në vend.