
Prishtina dhe Gjilani kanë marrë nga një pikë nga ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” të dielën në Prishtinë. Ky ballafaqim u mbyll pa gola, ndërsa i takoi xhiros së 33-të të elitës së futbollit të Kosovës. Rastet më të mira për shënim i pati skuadra e Prishtinës, që rrezikoi në pjesën e parë me Shefit Shefitin, Mërgim Pefqelin e Hasan Hysenin, por asnjëri nga ta nuk arriti ta mposhtte portierin Enea Koliçi.
Nga ana tjetër, te Gjilani, futbollisti më i rrezikshëm ishte Mevlan Zeka. Nga minuta e 78-të, Gjilani luajti me një futbollist më pak në fushë, për shkak se me kartonin e dytë të verdhë u ndëshkua Arbnor Ramadani.
Gjilani mbetet në pozitën e tretë me 51 pikë, kurse Prishtina në pozitën e katërt ka 44 pikë, aq sa ka edhe Dukagjini në vendin e pestë. Në xhiron e 34-t, Prishtina udhëton te Malisheva, kurse Gjilani zhvillon derbin lokal kundër Dritës.