
Barcelona ka shprehur interesim për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të djathtë, Juan Foyth i cili mund të transferohet në “Camp Nou” gjatë afatit kalimtar veror.
Siç raportojnë mediat spanjolle, Xavi është i interesuar për të përforcuar pozitën e krahut të djathtë të mbrojtjes, dhe Foyth është lojtari që po pëlqehet më së shumti nga trajneri spanjoll.
Xavi këtë sezon ka qenë i detyruar që në atë pozicion të luajë me Araujon dhe Kounden, që të dy me pozitë natyrale si qendërmbrojtës.
Tekniku spanjoll thuhet se ka mbajtur një takim me drejtuesit e klubit pas eleminimit nga Kupa e Spanjës ndaj Real Madridit dhe ka sugjeruar emrin e argjentinasit si një objektiv të mundshëm të merkatos.
Foyth i cili fillimisht u bë pjesë e Villarreal në formë huazimi, ka kontratë me klubin spanjoll deri me 30 qershor të vitit 2026.
Ai u transferua përfundimisht tek “Nëndetësja e Verdhë” në vitin 2021, për shumën e 15 milionë eurove nga ekipi anglez, Tottenham Hotspur.
Villarreal i ka vënë argjentinasit një klauzolë lirimi rreth 54 milionë euro, andaj Barcelona duhet të shpenzojë një shumë të madhe parash, nëse dëshirojnë që të afirmojnë 26-vjeçarin sezonin e ardhshëm.