
Raportimet nga Spanja bëjnë me dije së Barcelona është në kërkim të sponsorëve, me anë të cilëve besojnë se mund të mundësojnë rikthimin e Messit në klub.
7 herë fituesi i Topit të Artë po lidhet me një rikthim në Kataluni vetëm dy vjet pas largimit si transfer i lirë drejt Paris Saint-Germain.
Kontratës së Messit me PSG-në po i vie fundit, me ç’rast pritet që ylli argjentinas të largohet në fund të këtij sezoni.
Barcelona e ka pranuar se është e interesuar për rikthimin e Messit, me fituesin e Botërorit “Katar 2022” që çdo ditë e më shumë po lidhet me një lëvizje larg kryeqytetit francez.
Me derën e lënë hapur te Barça, Gerard Romero thekson se Barcelona është duke punuar në sigurimin e sponsorëve të rëndësishëm, të cilët mund të mundësojnë që
“Blauganët” të nënshkruajnë me Messin pa i thyer rregullat e Fair Play Financiar.
Leo Messi këtë sezon është paraqitur me Parisin në 33 ndeshje, ku ka shënuar 18 gola e ka dhuruar 17 asiste.
35-vjeçari më herët ishte pjesë e Barcelonës, ku për 17 vite arriti që të bëhej golashënuesi më i mirë i këtij klubi.