
Profesori i shkencave politike, Basri Muja në Gazeta komentoi zhvillimet e fundit politike dhe incidentin që ka ndodhur në prag të fushatës zgjedhore, duke vlerësuar se pamjet dhe ngjarjet e fundit janë shqetësuese për klimën politike në vend.
Muja tha se fotografitë dhe pamjet e publikuara nga incidenti kanë qenë shumë të rënda dhe paralajmëroi se ato mund të ndikojnë në zhvillimet e ardhshme politike.
“Ishin fotografi shumë të këqija dhe sigurisht do të reflektojnë në zhvillimet e mëtejshme. Besoj shumë që ky të jetë një rast i izoluar dhe të tejkalohet kjo situatë”, tha Muja në Gazeta.
Sipas profesorit, tensionimi politik në vend ka qenë i pranishëm tash e disa muaj, për shkak të fushatave të vazhdueshme zgjedhore dhe klimës së polarizuar politike.
“Është e kuptueshme se ne jemi që disa muaj në pak a shumë fushata zgjedhore, me disa ndërprerje të shkurta prej fushate në fushatë dhe ka një tensionim”, u shpreh Muja.
Megjithatë, ai tha se eskalimi i situatës në dhunë është i papritur dhe sipas tij tregon mungesën e ofertës politike nga disa subjekte.
“Por eskalimi në këtë situatë për mua është i papritur. Kjo tregon që partitë e caktuara duket se nuk kanë çka t’i ofrojnë elektoratit përveç dhunës dhe polarizimit”, tha profesori i shkencave politike, Basri Muja.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/eR6hXT14SAY