
Profesori i shkencave politike, Basri Muja në Adresa tha se dallimi kryesor mes subjekteve politike në vend qëndron te stabiliteti i brendshëm organizativ dhe çështjet e lidershipit.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje gëzon një avantazh të dukshëm për shkak të një strukture të konsoliduar dhe mungesës së problemeve në udhëheqje.
“Për dallim nga partitë tjera, Lëvizja Vetëvendosje ka një strukturë shumë stabile dhe nuk ka fare probleme me lidershipin”, ka theksuar Muja.
Duke folur për Partinë Demokratike të Kosovës, ai tha se kjo parti ka pasur vazhdimisht sfida të brendshme, sidomos pas zhvillimeve që lidhen me drejtuesit kryesorë të saj në Hagë. Sipas Mujës, pasuesit e Kadri Veseli nuk kanë arritur të krijojnë profil të pavarur politik, pasi, siç thotë ai, “nuk kanë mundur të shkëputen nga hija e tij”.
Ndërkohë, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Muja ka theksuar se përballet me probleme serioze në lidership. Ai ka rikujtuar kuvendin e fundit të partisë, ku mungesa e garës së brendshme ishte evidente.
“Pa asnjë kandidat tjetër, Lumir Abdixhiku mezi arriti të bindë gjysmën e delegatëve për ta votuar”, është shprehur ai.
Deklaratat e plotë: https://youtu.be/OCnGF-aIso8