
Orët e mbrëmes, kanë qenë me shumë zhvillime në Skënderaj.
Policia e Kosovës ka shkuar me Njësi Speciale në këtë komunë, disa orë pas incidentit ku Sami Lushtaku e rrahu Hysni Mehanin e VV-së.
Megjithatë, prezenca e madhe e Njësisë Speciale, nuk u prit mirë.
Njerëzit dolën në rrugë, përderisa Policia u arsyetua me nevoja operacionale.
Njësia Speciale e Kosovës ka zhvilluar një aksion në Skenderaj, ku janë ndaluar disa persona, ndër ta edhe zëdhënësi i komunës, Amir Lushtaku, sipas Klan Kosovës.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë aksionit janë kryer bastisje në banesën e Lushtakut, si dhe në disa lokacione të tjera.
Ganimete Musliu ka reaguar ndaj situatës në Skenderaj, duke akuzuar pushtetin për abuzim me institucionet shtetërore.
Ajo i ka bërë thirrje Albin Kurtit që t’i tërheqë forcat speciale nga Skenderaj.
“Përdorimi i institucioneve shtetërore dhe aparatit të pushtetit kundër një komune vetëm se nuk mund të depërtosh politikisht përbën një abuzim serioz të pushtetit. Veprime të tilla thellojnë përçarjet, nxisin tensionet dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në një mjedis ku dhuna normalizohet. Albin mos nxit dhunë, tërhiqi forcat speciale nga Skenderaj”, ka deklaruar Musliu.
Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura ka reaguar pasi pjesëtarë të Njësisë Speciale u panë në këtë qytet.
Ai në një shkrim në Facebook, ka thënë se çdo atmosferë tensioni apo shtetrrethimi atje, zgjon kujtime që vendi i ka paguar shtrenjtë.
“Sonte, në mesnatë, në Sheshin e Lirisë “Adem Jashari” në Skenderaj, shumëkush mund të ndiejë peshën e një simbolike të rëndë. Jo sepse historia po përsëritet, e as sepse kohët janë të njëjta, por sepse çdo atmosferë tensioni e shtetrrethimi në këtë qytet zgjon kujtime që ky vend i ka paguar shtrenjtë.
Kur qytetarët fillojnë të ndiejnë presion aty ku duhet të ndiejnë liri, atëherë çdo pushtet duhet të reflektojë”, ka shkruar ai.
Në disa pamje ku Ganimete Musliu shihet duke biseduar me një zyrtare policore, ajo i thotë se po bëhen kontrolle rutinore. Përderisa, të gjitha veturat kishin qenë 01, e jo 02 rajon të cilit i përket Skënderaj.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë dje bëri të ditur se Sami Lushtaku nuk i është përgjigjur ftesës për intervistim.
“Po ashtu, janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për dyzetë e tetë (48) orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”. Ndërkaq, dy (2) të dyshuar tjerë për këtë rast me iniciale S.L., dhe K.H., deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim”, thuhet në njoftim.